Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë lënë nën masën e paraburgimit ish-kreun e  Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi.

Si argument për vendimin, Gjykata u shpreh se ekziston rreziku i pengimit të procesit gjyqësor. Në dokumentin publik thuhet se vendimi është marrë më 24 maj.

Që nga vendimi më i fundit i paraburgimit, nuk ka pasur zhvillime që zvogëlojnë faktorët që mbështesin nevojën dhe arsyeshmërinë e paraburgimit. Në të vërtetë, ecuria e vazhdueshme e gjyqit përmes dëshmisë së të 65 dëshmitarëve dhe zhvillimet e tjera në këtë rast konfirmojnë në mënyrë të prerë domosdoshmërinë e paraburgimit”, është thënë nga DHSK-ja në vazhdimin e paraburgimit për Thaçin.

Nga ana tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj tyre, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.