Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas dështimit të zgjedhjes së presidentit, duke e cilësuar këtë zhvillim si një fitore të Kushtetutës dhe ligjit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haradinaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke e akuzuar për qasje populiste dhe tendenca autokratike. Ai theksoi se, sipas tij, është rrëzuar “koncepti i partisë-shtet” dhe se pushteti nuk mund të vendoset mbi rregullat demokratike.
“Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj kemi qenë bashkëpunues dhe të gatshëm për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike, por të tjerët u dehën nga pushteti duke harruar shtetin”, u shpreh Haradinaj.
“Të dashur qytetarë të Kosovës,
Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti.
Ka fituar vetëdija dhe rezistenca e opinionit publik e faktorit politik se nuk do të lejohet shkatërrimi i rendit politik e kushtetues të vendit.
Ka fituar koncepti se nuk ka individ e as parti që mund ta rrezikojë ekzistencën e shtetit.
Megjithëse me ditën e djeshme Kosova i ka rrumbullaksuar gjashtë vjet të humbura nën këtë pushtet, prej sot nis një etapë e re për shtetin.
Mbrëmë është përmbysur koncepti i partisë-shtet, ku një individ provon të bëhet mbret. Është përmbysur autokrati Albin Kurti.
Tash fjalën e ka sovrani, i cili mban mend e nuk falë.
Vendimmarrja i është kthyer atij.
Aleanca si parti dhe unë si drejtues i saj, kemi qenë bashkëpunues e të ndershëm sa s’ka për ta kaluar këtë krizë politike, por të tjerët ishin dehur pas pushtetit duke e harruar shtetin.
Për Kosovën deri në frymën e fundit“, shkruan Haradinaj.
