Endrit Thaçi ka reaguar ekskluzivisht për emisionin “Ftesë në 5”, në një deklaratë për gazetaren Migena Komici, pas vendimit të fundit që ka prekur atë dhe familjen e tij.
Përmes një mesazhi, Thaçi falënderoi të gjithë shqiptarët, nga trojet shqiptare dhe diaspora, për mbështetjen e treguar.
“Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë shqiptarët, pa asnjë përjashtim, nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, që na kanë qëndruar pranë dhe nuk e kanë ndalur zërin e tyre as pas vendimit”, u shpreh ai.
Thaçi tha se çdo reagim dhe mesazh mbështetës ka qenë një burim force për të dhe familjen e tij.
“Çdo mesazh, reagim dhe fjalë mbështetjeje në shesh, në rrjetet sociale dhe përtej tyre, ka qenë burim force për mua dhe familjen time. Mirënjohja jonë është e thellë dhe e sinqertë”, vijon deklarata.
Duke iu referuar hapave të mëtejshëm ligjorë, ai theksoi se do të vijojë betejën përmes të gjitha mundësive që parashikon ligji.
“Në këtë moment të vështirë, mbështetja juaj na ndihmon të vazhdojmë me qetësi, dinjitet dhe besim duke shfrytëzuar çdo mundësi ligjore që drejtësia të vihet në vend”, tha Endrit Thaçi.
Në fund, ai përcolli një mesazh vendosmërie, duke theksuar se vendimi nuk e ka mbyllur përfundimisht betejën.
“Vendimi mund të na ketë lënduar, por nuk na ka mposhtur. Beteja nuk ka mbaruar. Do të vazhdojmë me kokën lart deri në fund, të palëkundur në kërkimin e drejtësisë dhe të bindur se jemi në anën e duhur të historisë”, përfundoi ai në deklaratën ekskluzive për “Ftesë në 5”, për gazetaren Migena Komici.
