Ministrja serbe për Administratë Shtetërore dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç ka thelluar edhe më tej skandalin e shkaktuar nga deklaratat e saj për Kosovën, duke mos kërkuar falje, por duke e rikonfirmuar publikisht qëndrimin se do të kryente “spastrimin etnik” të Kosovës.
Në një intervistë për mediat vendase, ajo deklaroi se edhe sot do ta “spastronte etnikisht Kosovën nga terroristët”, duke këmbëngulur se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe se kishte pasur parasysh vetëm ushtarët e UÇK-së. Ndonëse deklarata e saj fashiste nxiti reagime të shumta në Kosovë, rajon e BE, Paunoviç tha se nuk sheh asgjë të diskutueshme në qëndrimin e saj, duke pretenduar se i ishte referuar “terroristëve”. Ajo madje e përsëriti këtë qëndrim, duke deklaruar se në vitin 1998 do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
“Kush guxon ta bëjë këtë? Kush është ai në Evropë që guxon të merret me këtë çështje në këtë mënyrë, ose edhe më keq, të mos merret fare me këtë, por të merret me një ministre që ka thënë: ‘Ah, në vitin 1998 do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën…’. Ndërkohë tani është viti 2026. Do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën nga terroristët! Po, do ta kisha bërë, jo vetëm Kosovën, por do ta pastroja tërë botën nga terroristët për hir të viktimave të pafajshme, gjithmonë! Çfarë ka këtu të diskutueshme?”, deklaroi ajo të premten.
Megjithatë, në të drejtën ndërkombëtare dhe në praktikën e tribunaleve ndërkombëtare, termi “spastrim etnik” përdoret për të përshkruar largimin me forcë të një popullsie civile nga një territor për shkak të përkatësisë etnike, fetare ose kombëtare. Ai nuk përdoret për operacione kundër personave të cilësuar si terroristë, çka edhe më parë, e ka bërë deklaratën e Paunovië objekt kritikash dhe reagimesh.
