Një person është arrestuar në Prishtinë, pasi në kamionin që ai po drejtonte janë gjetur dhe sekuestruar mbi 200 kilogramë substancë narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, është arrestuar S.J., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Operacioni është zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ndërsa hetuesit po ndërmarrin veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. I dyshuari S.J. është ndaluar me vendim të Prokurorisë Speciale për një afat prej 48 orësh.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë ritheksuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në luftimin e trafikimit me narkotikë dhe ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.