Pas mbylljes së zgjedhjeve lokale, në vend është kthyer sërish fokusi tek ngërci politik, por sipas Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, çështja e seancës për të votuar mandatarin për kryeministër, është në duart e deputetëve dhe Kryesisë së Kuvendit.
“Siç e dini, i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët dhe nga kryesia e Kuvendit se kur ftohet seanca. Seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj.”
E pyetur nga mediat lidhur me rrëmbimin e një qytetari të Kosovës nga komuniteti serb me datë 1 nëntor nga xhandarmëria serbe, Osmani e ka quajtur atë një provokim të rëndë.
“Pavarësisht se ku të ketë ndodhur, pavarësisht, është krim provokim i rëndë dhe tentim vrasje e institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj një qytetari të Republikës se Kosovës. Edhe po të kishte ndodhur brenda territorit të Serbisë përsëri është provokim i rëndë për paqe dhe stabilitet në vendin tonë”
Më 1 nëntor 2025, Policia e Kosovës, ka marrë një informacion se në zonën e Leposaviçit, një shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të vendit, nga trupat speciale të policisë serbe.
Presidentja njofton se Millan Vukashinoviçi nga Leposaviç është i plagosur rëndë në një spital të serbisë, por përfaqësuesi i vendit në Beograd nuk po lejohet nga autoritetet atje të takohet me të.
