Më pak se dy javë pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt SHBA-së për të marrë pjesë në javën e nivelit të lartë të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kurti do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë ndërkombëtarë, edhe pse emrat e këtyre liderëve nuk janë bërë të ditur. Në deklaratë thuhet se fokusi i vizitës është në thellimin e marrëdhënieve me vendet partnere, fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, sidomos në raport me shtetet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë, si dhe promovimin e mundësive për investime të huaja.

Pjesë e agjendës së Kurtit do të jenë edhe takime me anëtarë të komunitetit shqiptar në SHBA dhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës.

Vizita ndodh në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, pas vendimit të administratës amerikane më 12 shtator për të pezulluar përkohësisht bashkëpunimin strategjik me Prishtinën. Washingtoni e ka justifikuar këtë vendim me veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat sipas tyre kanë kontribuar në rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Kurti shkon në Nju Jork për të përfaqësuar Kosovën në një prej skenave më të rëndësishme ndërkombëtare, në një kohë kur Prishtina zyrtare përballet me sfida të shtuara në politikën e jashtme dhe kërkon të ruajë apo rikthejë mbështetjen e aleatëve strategjikë.