Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqa, i shpallur fajtor për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani më 22 gusht 2021.

Përmes aktgjykimit të shkallës së tretë, Supremeja ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme dhe duke vulosur përfundimisht dënimin me burgim të përjetshëm.

Në arsyetimin e saj, gjykata ka theksuar se vrasja është kryer në mënyrë mizore dhe se viktima ka përjetuar dhimbje të mëdha fizike si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj saj. Po ashtu, janë rrëzuar pretendimet e mbrojtjes lidhur me gjendjen mendore të të akuzuarit, pasi ekspertizat kanë vërtetuar se ai ka qenë i vetëdijshëm për veprimet e tij në momentin e kryerjes së krimit.

Për këtë rast është dënuar edhe Arbër Sejdiu, i përfshirë në ngjarje.

Rasti i Marigona Osmanit pati shkaktuar reagime të shumta publike dhe protesta në Kosovë, duke nxitur debat të gjerë mbi dhunën ndaj grave dhe masat ndëshkuese për autorët e krimeve të tilla.