Bashkimi Evropian dhe NATO i bëri sërish thirrje ditën e djeshme Beogradit dhe Prishtinës për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget përshkallëzimi i tensioneve të krijuara në veri të vendit.
Ndërkaq situata e krijuar pas braktisjes së institucioneve nga Lista Serbe, ka detyruar drejtuesin e NATO-s, Jens Stoltenberg, që të telefonojë dje liderët e të dy vendeve Vuçiç dhe Kurti për uljen e tensioneve. Ai ka kërkuar që ai dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti të përmbahen nga hapat që do të shkaktonin përshkallëzim të tensioneve dhe që do të cënonin paqen dhe stabilitetin. Me anë të rrjeteve sociale, Stoltenberg thekson se NATO e KFOR janë vigjilentë mbi situatën, ndërsa thekson se dialogu është e vetmja rrugë përpara për të dyja vendet.
“U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter.
Mediat serbe raportojnë se nga ana e tij Vuçiç i ka thënë Stoltenbergut se Prishtina po shkel marrëveshjen e Brukselit me lëvizjet e saj të njëanshme, shkarkimin e komandantit të policisë serbe për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç dhe veprimet e paligjshme në lidhje me targat dhe refuzimi për të formuar Unionin e Komunave Serbe. Ai shtoi se përkundër kësaj, Serbia përpiqet të ruajë paqen dhe stabilitetin dhe do të mbetet e përkushtuar ndaj saj, thuhet në një deklaratë nga zyra e presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Më 5 nëntor, përfaqësuesit e serbëve ofruan dorëheqjen nga institucionet e nivelit lokal në Kosovë, nga Gjyqësori, Policia, si dhe nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës. Largimet nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS–Republika e Kosovës.