Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për grisjen e Kuranit në Prizren, një akt që ka ngjallur reagime të shumta.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, i cili njoftoi se Drejtoria Kundër Terrorizmit dhe Prokuroria Speciale e Kosovës kanë bashkëpunuar për arrestimin e personit. Ai është dyshuar për veprën penale nxitje urrejtjeje, përçarje ose mosdurimi kombëtar, racor, fetar apo etnik, sipas Nenit 141 të Kodit Penal të Kosovës.

Në kuadër të hetimeve, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në rajonin e Prizrenit. Kelani gjithashtu njoftoi se i dyshuari ka një të kaluar kriminale, përfshirë vrasje, dhunë në familje dhe kanosje, dhe se ai vuan nga një sëmundje psikike, për të cilën merr trajtim psikiatrik obligativ.