Një skandal i rëndë spiunazhi ka tronditur rajonin dhe ka vënë në lëvizje autoritetet në Kroaci, Kosovë dhe NATO. Një pilot kroat, i cili shërbente në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), është arrestuar së bashku me të dashurën e tij serbe nga Mitrovica e Veriut, nën dyshimet se kanë nxjerrë informacione të ndjeshme ushtarake dhe i kanë përcjellë ato tek Lista Serbe partia pro-serbe në Kosovë me lidhje të ngushta me Beogradin zyrtar.

Piloti, i identifikuar me inicialet J.I., kishte krijuar një lidhje personale me A.M., një grua nga veriu i Kosovës, e cila më parë kishte punuar edhe në misionin e BE-së në Kosovë (EULEX). Hetimet e zhvilluara nga autoritetet kroate, përmes një urdhri gjyqësor, zbuluan komunikime komprometuese mes çiftit ku dyshohet se piloti i kishte zbuluar informacione konfidenciale lidhur me aktivitetet e KFOR-it dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Këto informacione, sipas burimeve mediatike në Kroaci, janë përcjellë më pas përmes kanaleve të enkriptuara tek Lista Serbe, dhe potencialisht janë transferuar edhe në shërbimet sekrete serbe dhe ndoshta më tej, në ato ruse.

Çifti u arrestua në fund të gushtit dhe ndodhet në paraburgim në Split, Kroaci. Prokuroria vendase ka ngritur akuza për spiunazh ndërkombëtar. Për pilotin J.I., dënimi maksimal i mundshëm është 10 vite burg, ndërsa për A.M., 5 vite.

Hetimi është duke u mbajtur nën fshehtësi të plotë, ndërkohë që Kroacia ka njoftuar edhe autoritetet e Kosovës, të cilat kanë nisur veprimet e tyre.

Policia e Kosovës bastisi shtëpinë e A.M. në Mitrovicë të Veriut dhe gjeti sprej neutralizues, fishekë dhe gëzhoja, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e saj në veprimtari ilegale.

NATO reagoi menjëherë, duke deklaruar se “e merr jashtëzakonisht seriozisht” këtë rast dhe se siguria e trupave dhe informacionit të klasifikuar është prioritet i saj absolut.

Qeveria e Kosovës e mohoi se A.M. ka pasur ndonjëherë qasje në informacione të ndjeshme në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës është vënë në kontakt me autoritetet kroate për të kërkuar ekstradimin e saj dhe ndarjen e provave.

Ekspertët e sigurisë në Kosovë e shohin këtë rast si pjesë të një fushate më të gjerë të shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, për të testuar dhe infiltruar sistemet e sigurisë të Kosovës dhe NATO-s.

Burim Ramadani, analist dhe ish-zyrtar i lartë i sigurisë, deklaroi se “ky është një shembull i qartë i një lufte të heshtur, hibride, që Serbia dhe Rusia po e zhvillojnë kundër Kosovës dhe aleatëve të saj”.

Jeta Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, e cilëson këtë rast si një “këmbanë alarmi”, që dëshmon se infrastruktura e sigurisë rajonale ka ende pika të dobëta dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet thelluar.

Rasti është ende në fazën hetimore dhe Kroacia nuk ka dhënë detaje të plota, por të gjitha institucionet përkatëse nga NATO, Kroacia, deri te Kosova janë përfshirë dhe po ndjekin zhvillimet me kujdes.

Pritet që në javët në vijim të ketë kërkesa zyrtare për ekstradim, bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndoshta edhe ndëshkime diplomatike, nëse vërtetohet që informacionet e KFOR-it janë transferuar te shërbimet e huaja.

Ky është një nga rastet më serioze të dyshuara për spiunazh ushtarak në Ballkan në vitet e fundit, që mund të ketë implikime të gjera jo vetëm për Kosovën dhe Kroacinë por edhe për marrëdhëniet NATO–Serbi në një kohë kur tensionet rajonale janë në rritje.