Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje në lidhje me rrëmbimin e tre efektivëve të Policisë nga forcat serbe.
Në një konferencë për mediat, ai tha se ambasadori Jetish Jashari i ka vizituar sot tre efektivët, të cilët i kanë shpjeguar se si ka ndodhur ngjarja. Sipas kryeministrit, tre efektivët kanë qenë duke konsumuar drekë kur janë sulmuar nga 15 persona të armatosur. Shefi i qeverisë theksoi se rrëmbimi ka ndodhur brenda territorit të Kosovës.
“Rrëmbimi është zhvilluar me plan me njerëz të armatosur. Nuk bëhet fjalë për arrestime në Serbi, por bëhet fjalë për rrëmbim brenda Kosovës. Ambasadori Jetish Jashari i ka vizituar policët, ndarazi, njëri pas tjetrit, përshkrimi i tyre se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata kanë qenë tek tryezës e improvizuar për ngrënie. Kjo pra kanë qenë duke ngrëne drekë. Kanë qenë 15 persona kur i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Kjo heq çfarëdo dileme edhe për ata që dëshirojnë të jenë skeptikë”, tha ai.
Në këto rrethana, Kurti i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar të dënojë aktin e Serbisë dhe t’i kërkojnë menjëherë lirimin e ushtarëve të Kosovës.
“Kërkojmë lirmin e menjëhershëm, pa kushte dhe të pacenuar, kërkojmë nga faktorët ndërkombëtar, SHBA, BE dhe NATO që ta dënojnë agresionin e Serbisë”, tha ai.