Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka folur lidhur me anëtarësimin e vendit në BE, e po ashtu për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

 I ftuar në radiotelevizionin publik RTS, Vuçiç deklaroi se Serbia mund të anëtarësohet në BE para vitit 2030, por tha se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Gjatë intervistës, ai tha se Serbia mbetet e rrezikuar politikisht nga situata gjeopolitike dhe se rreziku më i madh do të vinte nga një “luftë e vërtetë” midis Evropës dhe Rusisë.

Udhëheqësi serb foli edhe për protestat masive studentore që kanë tronditur vendin, ku tha se po zhvillohet një luftë hibride. Ai tha se janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara.

“Unë besoj se ekzistojnë shanse të tilla. Por ekziston një çështje tjetër, çështja e Kosovës. Unë nuk mund dhe nuk do ta pranoj pavarësinë e Kosovës. Nëse do të shpërthente një luftë e vërtetë midis Evropës dhe Federatës Ruse, ky do të ishte rreziku më i madh.

Ne duhet të shmangim përfshirjen në çdo mënyrë dhe duhet të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak. Në çdo mënyrë ne do të shmangim çdo konflikt rajonal. Pra, nuk kemi frikë nga askush. Ne jemi mjaftueshëm të fortë, njerëzit kanë pasur mundësinë ta shohin këtë, por unë nuk dua të marr pjesë në luftëra”, theksoi presidenti serb.

Kemi një vit që po përballemi me dhunë të tmerrshme. Njerëzit janë ndaluar në lëvizjet e tyre në rrugët e Serbisë qindra mijëra herë. Janë mbajtur më shumë se 25,000 tubime kriminale dhe të paligjshme të paregjistruara, të cilat, në fund të fundit, ne madje i siguruam dhe shpenzuam një sasi të madhe parash për to”-, tha Vuçiç.