Presidenti Aleksandar Vuçiç, është shprehur sëfundmi se KFOR-i ka refuzuar kërkesën e Serbisë për dërgimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

Në mesin e dhjetorit, autoritetet në Serbi i dërguan zyrës së misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, një kërkesë për dërgimin e deri në 1.000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Në një intervistë për televizionin serb, Pink, më 8 janar, ai tha se KFOR-i në përgjigjen e tij ka thënë se nuk ka nevojë për dërgimin e forcave serbe.

“KFOR-i na u përgjigj se nuk ka nevojë që forcat tona të kthehen në veri të Kosovës dhe Metohisë, siç e prisnim, edhe pse sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën tonë sepse ata nuk pyetën për këtë”, tha ai.

Vuçiç tha gjithashtu se mbetet të shihet nëse Beogradi zyrtar do t’i drejtohet OKB-së dhe do të kërkojë të deklarohet në seancën e Këshillit të Sigurisë.