18 minatorët që ishin ngujuar për disa orë në minierën e Stantërgut kanë dalë nga miniera.

Minatorët ishin bllokuar qindra metra nën tokë që nga ora 01:30 e mëngjesit të 14 majit, njoftoi më herët kompania metalurgjike “Trepça”, pasi kishte pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Ndërmarrja tha se në momentin e ndërprerjes së rrymës në minierë ishin 47 punëtorë, teksa 29 prej tyre arritën të largoheshin dhe të dilnin mbi sipërfaqen e tokës.

“Sipas informatave nga terreni, në hyrje të trafostacionit në flotacion është shkëputur një përcjellës i linjës, ndërsa si pasojë janë dëmtuar izolatorët përcjellës, duke shkaktuar djegie në trafon që furnizon flotacionin me energji elektrike. Po ashtu janë evidentuar dëmtime edhe në stabilimentet tjera përcjellëse në trafostacion”, u tha në njoftim.

Ndërmarrja tha se punëtorët e bllokuar në Stantërg, që gjendet afër Mitrovicës, janë të sigurt, teksa ekipet po punojnë për rikthimin e furnizimit të energjisë elektrike, informon REL. Ekipet e Trepçës dhe Kompanisë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), po punonin për të ndrequr problemin në mënyrë që të minatorët të dalin më ashensorë.

Edhe në të kaluarën, në minierat e Trepçës ishin ngujuar minatorë, për shkak të problemeve me energji elektrike, por edhe telasheve të tjera. Shembull, më 2023 për shkak të një defekti të energjisë elektrike në një ashensor, disa minatorë kishin mbetur qindra metra nën tokë për disa orë. Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.

Sindikatat e minatorëve shpesh janë ankuar se minatorët punojnë në kushte të rrezikshme.