Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u takua ditën e djeshme me ambasadorin e SHBA-së në vend, Greg Delawie. Sipas njoftimit për shtyp të këtij institucioni, kreu i shtetit falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e fuqishme të SHBA-së, si partnere kryesore e Kosovës, dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer, për të cilin tha se do të forcohet edhe më tej. Ai e njoftoi ambasadorin Delawie se do të angazhohet për reforma në sektorin e drejtësisë, në luftimin e korrupsionit dhe diskriminimit, si dhe në dialog. Dje, përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe diplomatë të akredituar në Prishtinë, diskutuan për dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Aty u fol edhe për hapat që duhen ndjekur, që shteti i ri të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. Ish-ambasadori i Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulos, tha se, përveç fushatës së dëmshme të Serbisë, një pjesë e fajit bie mbi institucionet kosovare që përcollën në botë imazhe negative.
