Prokuroria e Specializuar ka kërkuar nga Gjykata Speciale që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dënohet me gjashtë vjet burgim për veprat penale që lidhen me pengimin e drejtësisë.
Gjatë seancës në Hagë, Prokuroria tha se akuzat ndaj të pandehurve janë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe se përpjekjet për të ndërhyrë në procesin gjyqësor përbëjnë kërcënim serioz për administrimin e drejtë dhe të pavarur të drejtësisë.
“Ajo që është më e rëndësishmja, akuzat e ZPS-së, akuzat që ZPS-ja i ka ngritur, dhe akuzat që ZPS-ja ka vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm këtu janë krimet”, u tha në seancë.
Prokuroria theksoi gjithashtu se përpjekjet për të penguar procesin gjyqësor para kësaj gjykate, veçanërisht duke marrë parasysh të kaluarën e frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve në Kosovë, paraqesin kërcënim për integritetin e proceseve gjyqësore.
“Bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon gjykatës që të marrë një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet”, deklaroi përfaqësuesi i Prokurorisë.
Përveç Thaçit, Prokuroria kërkoi dënime edhe për të pandehurit e tjerë në këtë rast.
“Dhe bazuar në të gjitha provat dhe faktet, Prokuroria i kërkon juve i nderuar gjykatës që merrni një vendim që të përputhet me ligjin dhe provat dhe faktet. Pra fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërsëinë e faktorëve që merren parasysh për dënimin e zbatueshëm në këtë rast, Prokuroria iu kërkon i nderuar gjykatës që të jepni një vendim siç është e kërkuar, konkretisht për zotëri Kuçi 9 muaj burg, për zotëri Fazliun 3 vjet, për zotëri Kilaj 3 vjet burg, zotëri Smakaj 3 vjet burgim, dhe për zotëri Thaçin 6 vjet burg”, u tha në seancë.
