Situata në veri të Kosovës ngelet e tensionuar, ku këtë herë përpos djegieve të automjeteve kanë dëmtuar makina e KFOR-it. Natalija Grbiç, nga shoqëria civile në Serbi pas këtij gjesti ka kritikuar protestuesit serbë në veri të Kosovës se po e përkrahin fashizmin rus.
“Serbët e Kosovës kanë shkruar shkronjën ‘Z’ në veturën e ShBA-ve. Përsëri në botë kemi dërguar fotografi se po e përkrahim fashizmin rus”, ka shkruar Grbiç.
Nga protestues serbë të komunave veriore, sot janë dëmtuar disa automjete të Policisë së Kosovës, e disa janë ngjyrosur me ngjyrë duke shënuar në to katër “C”, ndërsa në disa vetura të KFOR-it është shënuar shkronja “Z”, simbol i ushtrisë pushtuese ruse në Ukrainë.
Çfarë po ndodh në veri të Kosovës?
Qytetarët serbë kanë tentuar sërish të bllokojnë objektet e komunave dhe të pengojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptar. Policia e Kosovës dhe KFOR kanë rrethuar ndërtesat zyrtare ndërsa situata është përshkallëzuar teksa kanë hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Për shkak të rindezjes së tensioneve është njoftuar se shkollat në veri të Kosovës do të mbyllen dhe mësimi do të pezullohet përkohësisht. Për zhvillimet e fundit në veri ka pasur reagime të shumta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të cilët kërkuan të mos përshkallëzohet situata pasi që kjo nuk ndihmon në procesin e dialogut mes dy vendeve.