Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të dërguar në Kuvend, projektligjin për dërgimin e trupave të Forcave Speciale në Gaza.

Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova është e gatshme të ndihmojë popullin e Gazës, me argumentin se vendi ka qenë përfitues i forcave ndërkombëtare që nga viti 1999, por nuk zbuloi se sa është numri i trupave që do të shkojnë në këtë mision.

Gjithsesi ky vendim është vetëm një hap, pasi sipas legjislacionit në fuqi, pas vendimit të ekzekutivit, çështja i kalon parlamentit, ndërsa në fund kërkohet edhe miratimi i presidentit.

Në kushtet e krizës politike ende nuk dihet se si do të shkoj përpara ky vendim i qeverisë.

Në mbledhjen e ekzekutivit, Kurti foli edhe për takimin me presidentin francez, Emmanuel Macron, ku theksoi së në fokus të bisedës ishin çështje të sigurisë, mbrojtjes dhe ekonomisë. Lidhur me takimin, ishte presidenti serb që paralajmëroi se mes Kurtit dhe Macron do të flitej për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe largimin e trupave të KFOR nga vendi, por sipas Vuçiç “miku i tij francez” nuk do të jepte aprovimin për asnjërën prej kërkesave.

Përsa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, Kurti njoftoi se “saga” do të nis sërish. Ai do ti bëj përsëri ftesa për takime kryetarëve të partive opozitare.

Këto të fundit, njëjtë si në tentativën e parë vijojnë të presin “udhëzimet” nga Kurti.