Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se autoritetet kanë arrestuar një ish-pjesëtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin e shtetasit kosovar Millan Vukashinoviq.

Sipas Sveçlës, i arrestuari me inicialet V.M. ishte integruar më herët në Policinë e Kosovës në kuadër të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por më pas kishte dhënë dorëheqje nga kjo strukturë. Arrestimi i tij është kryer në Leshak, gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Sipas autoriteteve të Kosovës, Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer brenda territorit të Kosovës më 1 nëntor. Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka theksuar se institucionet e vendit janë të vendosura për të vepruar dhe për të mos lejuar shmangien e drejtësisë nga askush.

Ai ka bërë të ditur se ekzistojnë dyshime serioze se i arrestuari V.M. ka mbajtur kontakte të drejtpërdrejta me struktura të inteligjencës dhe ushtrisë serbe, duke përfshirë përgatitjen e të rinjve serbë për trajnime ushtarake, si dhe se ka pasur dijeni për përgatitjet e sulmit të armatosur në Banjskë.

Më herët, institucionet e Kosovës i kishin kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion ndaj Beogradit, pas plagosjes dhe rrëmbimit të dyshuar të Vukashinoviqit, për të cilin dyshohet se fillimisht është plagosur dhe më pas është marrë nga forcat serbe më 1 nëntor në fshatin Jellakcë, pranë Leposaviqit. Pas ngjarjes, ai është dërguar fillimisht në spitalin e Prokuples, ndërsa më pas në Qendrën Klinike të Nishit.

Deri më tani, autoritetet serbe nuk kanë reaguar zyrtarisht lidhur me këtë rast. Ndërkohë, familja e Vukashinoviqit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike të Prokuples përmes avokatit Ivan Niniq.

Për shkak të mungesës së reagimit institucional nga Serbia, padia është ngritur ndaj personave ende të paidentifikuar, që dyshohet se janë pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ose ndaj Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë në vitin 2023.

Vukashinoviq ka qenë i punësuar në Byronë e Sigurimeve të Kosovës, në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të vendit.

Pas publikimit të rastit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se sulmi ndaj tij kishte motive politike, duke e lidhur atë me qëndrimet kundërshtuese të Vukashinoviqit ndaj politikave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.