Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur sot seanca e parë gjyqësore ndaj tre personave të arrestuar në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi në shtator të vitit 2023. Të pandehurit janë Vlladimir Tollici, Bllagoje Spasojeviqi dhe Dushan Maksimoviqi.

Ky sulm i rëndë ndodhi kur një grup i armatosur serbësh sulmoi njësitë e Policisë së Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, mbetën të vrarë edhe tre nga agresorët.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjithsej 45 personave, të dyshuar për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale. Shumica e të akuzuarve, përfshirë edhe Millan Radoiçiqin, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndodhen ende në arrati.

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë ngjarjen si një akt terrorist, duke akuzuar Serbinë për organizimin e tij. Beogradi i ka mohuar këto akuza, ndërsa bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar që të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Në seancën përgatitore të mbajtur më 9 tetor 2024, Prokuroria kërkoi që procesi gjyqësor të vazhdojë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen fizikisht në Kosovë. Megjithatë, avokatët mbrojtës theksuan se kjo bie ndesh me ligjet vendase.

Në këtë fazë të procedurës: Vlladimir Tollici dhe Bllagoje Spasojeviqi refuzuan të deklarohen për fajësinë, ndërsa Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm.

Aktakuza përfshin 34 dosje me prova, përfshirë: video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje nga institucione në Luksemburg, Bosnje e Hercegovinë, banka dhe agjenci të tjera, si dhe dëshmi të ndryshme nga dëshmitarë.