Polici Dejan Pantiç, i cili u arrestua më 10 dhjetor në vendkalimin administrativ Jarinjë do të lirohet për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak.
Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa Pantiç fillimisht do të dërgohet në spital, sipas B92, ku do të monitorohet gjendja e tij e përgjithshme, duke qenë se ka qëndruar gati tri javë në Jarinje, në bazën e Policisë së Kosovës.
“Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për zëvendësimin e masës së Sigurisë nga Paraburgimi në arrest shtëpiak. Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe Dejan Pantiq duke e zëvendësuar masën nga paraburgimin në arrest shtëpiak”, ka thënë për Nacionalen Mirlinda Gashi, zëdhënëse në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Lirimi i Dejan Pantiqit është kërkesa e parë e serbëve nga veriu i Kosovës të cilët në shenjë proteste ngritën barrikada në disa vende, ku qëndrojnë edhe sot e kësaj dite. Por ky lirim është kundërshtuar nga Albin Kurti i cili e ka konsideruar absurd.
“Kam dëgjuar se meqë ishte në grevë të urisë dhe kishte probleme me zemrën do mund të dërgohej në spital. Cili është ai prokuror që e bën këtë kërkesë dhe cili është ai gjyqtar që e aprovon?”, tha Kurti në një deklaratë për mediat.