Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të bëjnë ndryshime në kontributin e tyre në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, në kuadër të një procesi më të gjerë të rishikimit të pranisë ushtarake të Aleancës në vend. Një zyrtar i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM) tha se vendimi bazohet në rishikimin vjetor të bërë nga Komanda Supreme e Forcave Aleate në Evropë (SHAPE), e cila rekomandoi përshtatjen e trupave në terren.

“Bazuar në rishikimin më të fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Evropë, NATO-ja do të optimizojë pozicionimin e Forcës së Kosovës (KFOR). Si rezultat, Komanda Evropiane e SHBA-së do të bëjë një përshtatje, në faza dhe të bazuar në vlerësim të rrezikut, të kontributit amerikan në KFOR, në përputhje me këtë rishikim të udhëhequr nga SHAPE”, tha zyrtari i EUCOM-it.

Ai shtoi se SHBA-ja vazhdon ta konsiderojë misionin një komponent kyç të stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë detaje për natyrën apo përmasën e ndryshimeve të mundshme.

Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se do ta zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm, për shkak të, siç tha, përmirësimit të situatës së sigurisë. Një zyrtar i NATO-s tha se Aleanca nuk komenton çështje operative apo të inteligjencës, por theksoi se situata në terren monitorohet vazhdimisht dhe nga afër përmes mjeteve të ndryshme, për të siguruar që misioni mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij.

Aktualisht, KFOR-i përbëhet nga mbi 4.600 trupa nga 31 vende, teksa KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, si reagues i dytë. Misioni është përgjegjës për sigurinë përgjatë kufirit me Serbinë, ndërsa në pjesët e tjera të vijës kufitare përgjegjësinë e ka Policia e Kosovës.

Në Kosovë, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht rreth 590 ushtarë të dislokuar në kuadër të KFOR-it – një ulje e ndjeshme krahasuar me mbi 5.000 trupat e vendosura në vitin 1999, kur misioni u krijua pas përfundimit të luftës. Që nga ajo kohë, SHBA-ja ka edhe kampin Bondsteel pranë Ferizajt, që konsiderohet baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan./ REL