Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të largojë Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).
Vendimi është marrë në takimin e jashtëzakonshëm të KPK-së, të mbajtur të premten, më 2 tetor 2026, nën udhëheqjen e kryesuesit Arian Gashi.
Sipas KPK-së, vendimi është marrë pas shqyrtimit të çështjes, vlerësimit të rrethanave relevante institucionale dhe profesionale dhe në bazë të kompetencave ligjore të Këshillit.
Isufaj do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në Prokurorinë Speciale.
KPK ka njoftuar se vendimi për largimin e Isufajt nga pozita e Kryeprokurorit është marrë në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-249.
Pas largimit të Isufajt, KPK ka caktuar Dren Pacën, prokuror në Prokurorinë Speciale, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të PSRK-së, deri në plotësimin e pozitës në pajtim me procedurat ligjore.
KPK ka thënë se caktimi i ushtruesit të detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e funksionimit të Prokurorisë Speciale dhe trajtimin e pandërprerë të rasteve penale.
Në komunikatën e publikuar pas mbledhjes, KPK ka renditur disa arsye që, sipas tij, kanë çuar në vendimin për largimin e Isufajt.
Ndër to janë përmendur keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale, jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit, dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës.
KPK ka theksuar se këto përfundime janë bazuar në vlerësimin e performancës të realizuar në pajtim me dispozitat ligjore dhe aktet përkatëse nënligjore.
“Këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në komunikatën e KPK-së.
Sipas Këshillit, secila prej këtyre rrethanave, veçmas dhe në mënyrë të pavarur, përbën bazë për ndërmarrjen e masës së largimit nga pozita.
KPK ka shprehur gjithashtu shqetësim për gjendjen e efikasitetit institucional të Prokurorisë Speciale, duke thënë se mënyra e menaxhimit të saj, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, ka ndikuar në dobësimin e efikasitetit dhe rezultateve institucionale.
Këshilli ka vlerësuar se drejtimi i PSRK-së nuk mund të reduktohet vetëm në ushtrimin formal të kompetencave administrative, pasi Kryeprokurori bart përgjegjësi për organizimin, menaxhimin, funksionalitetin dhe rezultatet e institucionit.
KPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për rikthimin e efikasitetit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale e menaxheriale të Prokurorisë Speciale.
Vëmendje e veçantë, sipas Këshillit, do t’i kushtohet luftimit të krimit të organizuar dhe transnacional, përfshirë kontrabandimin e migrantëve, trafikimin e narkotikëve, trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimin e parave dhe veprimtarinë e organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve.
“KPK nuk do të tolerojë që dobësitë në menaxhim, mungesa e rezultateve apo mosrespektimi i standardeve të performancës të cenojnë funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe përmbushjen e misionit të saj ligjor”, thuhet në komunikatë.
