Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimet e regjistruara sot në veri të Kosovës.

Pas regjistrimit të dy shpërthimeve, mësohet se forca të shumta policia janë përqendruar në urën mbi Ibër Mediat e Kosovës bëjnë me dije se një objekt ku Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut po punonte është djegur tërësisht.

Incidente ka pasur edhe në Zubin Potok. Sipas “KoSSev”, disa qytetarë serbë janë mbledhur para objektit të komunës dhe kanë penguar disa zyrtarë të komisioneve komunale zgjedhore që të futen brenda objektit. Sakaq, raportohet se në afërsi të objektit ku kishin synuar të destinuar për anëtarët e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, nuk ka policë. Fatmirësisht rrugët janë boshatisur dhe s’ka pasur njerëz. 

Nga ana tjetër Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë sqarime lidhur me situatën në veri të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Njoftimi i policisë:

Me këtë rast, Policia e Kosovës njofton opinionin publik në lidhje me zhvillimet e sigurisë në veri të vendit se, sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.

Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor.

Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë në vend dhe ndërmerr masa të nevojshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.