Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë vijojnë e shtohen, teksa në rajon rritet frika për përshkallëzim të situatës.

Kjo është përforcuar dhe nda deklarata e sotme e ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç, i cili ka paralajmëruar se nëse kryeministri Albin Kurti do të dërgojë policë në veri të Kosovës, atëherë mund të ketë konflikt të armatosur.

“Asnjëherë nuk ka pasur policë shqiptarë në veri të Kosovës dhe nëse kjo ndodh, serbët do të rezistojnë dhe askush nuk mund t’i ndalë. Nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dërgon policinë në veri, mund të ketë konflikte të armatosura dhe këtë e dinë të gjithë”, tha ai.

Kujtojmë se sot Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë zhvilluar takime me kreun e politikës së jashtme të BE Josep Borrell dhe të dërguarin e BE për dialogun mes Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajçak. Nga ana tjetër, presidenti francez Emannuel Macron është vetëofruar për të ndërmjetësuar dialogun mes dy liderëve, duke i thirrur dhe në një takim të përbashkët.