Një prokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimin se ka përfituar ryshfet gjatë ushtrimit të detyrës. Shtetasi me iniciale B.Sh. u ndalua në vendin e punës pas një urdhri të lëshuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e Policisë, thuhet se hetuesit e Krimeve të Rënda dhe të Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Prizrenit, janë angazhuar në kryerjen e hetimeve të plota për këtë çështje, në përputhje me ligjet e vendit.
Deri tani, autoritetet nuk kanë publikuar informacione të tjera në lidhje me shumën e dyshuar të ryshfetit ose natyrën e rastit konkret. Hetimet janë në vazhdim.
Komunikata e plotë:
Arrestohet një i dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”
Prishtinë, 27 Tetor 2025 –
Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës.
Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.
