3 milionë euro është dëmi që ministrja e Kurtit, Rozeta Hajdari dyshohet se i ka shkaktuar buxhetit të shtetit.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar në Gjykatën Themelore aktakuzën ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe dy zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie: Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin i kanë keqpërdorur pozitat zyrtare me qëllim përfitimin e fondeve të shtetit gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.

Skema e përdorur është blerja e një sasie vaji nga Polonia dhe gruri, e blerë nga Turqia, por që në fakt nuk kanë arritur kurrë në Kosovë.

Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar sekrete shtetrore.

“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion personave të tretë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Gara, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovica, drejtor i departamentit për integrime evropiane, janë arrestuar më 2023 për këtë rast, ndërsa Hajdari është marrë në pyetje disa herë nga Prokuroria Speciale si e dyshuar për keqpërdorimin e rezervave shtetërore.

Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.

Kurti dhe nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu e kanë mbrojtur ministren e tyre, duke thënë se ajo “nuk është e korruptuar, as nuk ka keqpërdorur ndonjëherë detyrën e saj zyrtare”, por dukshëm qeveria Kurti 2 nuk ka qeverisur me duar të pastra siç pretendon…