
Qeveria Gjermane ka konfirmuar se ka vendosur të zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë sektorin e sigurisë, pas dështimit të Qeverisë së Kosovës për të deeskaluar situatën në veri. Një vendim i tillë, vjen në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian, rrjedhimisht, 27 vendeve anëtare të tij.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka konfirmuar për Nacionalen se ka vendosur ta zvogëlojë bashkëpunimin me Kosovën – përkohësisht.
“…lidhur me këtë BE-ja paralajmëroi masa për kufizimin e bashkëpunimit me Kosovën në fusha të ndryshme në rast se qeveria e Kosovës nuk do të merrte masat përkatëse për deeskalim. Në përputhje me këto politika, edhe Qeveria gjermane ka vendosur të zvogëlojë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë edhe sektorin e sigurisë.” – thuhet në përgjigjen e tyre.
Të gjitha projektet e anuluara, Ambasada Gjermane i ka thënë Nacionales se mund të fillohen, pas deeskalimit në veri dhe “masave të nevojshme” për ta qetësuar situatën atje.
“Megjithatë, të gjitha këto projekte mund të rifillohen në çdo kohë. Kjo kërkon zbatimin urgjent të masave të nevojshme për deskalimin e situatës në komunat veriore. Gjermania mbështet në mënyrë eksplicite përpjekjet e BE-së, punën e Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak, si dhe Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – është thënë tutje në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë, portali “Vëzhguesi” ka raportuar se si pjesë e këtyre masave, disa oficerëve të FSK-së që parashihej të mbanin trajnime në Gjermani, të njëjtat u janë anuluar. Nacionale nuk ka marrë përgjigje për një gjë të tillë.