Sot shënohen 27 vite nga eksodi masiv i shqiptarëve të Kosovës, një nga ngjarjet më dramatike të luftës së viteve 1998–1999, kur rreth një milion qytetarë u detyruan të linin shtëpitë e tyre si pasojë e dhunës së forcave serbe.

Mijëra familje u shpërngulën drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shumë të tjerë kaluan kufirin me Malin e Zi ose u strehuan në zona malore brenda Kosovës, në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës dhe spastrimit etnik.

Kulmi i eksodit u shënua pas fillimit të bombardimeve të NATO kundër objektivave ushtarake të ish-Jugosllavisë. Më 27 mars 1999, në orën 13:20, në pikën kufitare të Vërmicës/Morinës mbërritën në Kukës 187 refugjatët e parë, kryesisht gra dhe fëmijë, në gjendje të rëndë fizike dhe psikologjike.

Vetëm brenda asaj dite, numri i të ardhurve në Kukës arriti në mbi 12 mijë persona. Fluksi vijoi edhe në ditët pasuese, duke e kthyer qytetin në një nga qendrat kryesore të pritjes së refugjatëve. Ata u strehuan fillimisht në Pallatin e Kulturës “Hasan Prishtina”, e më pas në shkolla, çerdhe, magazina dhe në familjet kuksiane, të cilat hapën dyert për t’i pritur.

Në javët në vijim, në Kukës mbërritën dhjetëra mijëra të dëbuar të tjerë. Shumë prej tyre kishin përjetuar dhunë, tortura dhe grabitje përgjatë rrugës, ndërsa kushtet e jetesës mbeteshin të vështira.

16 prilli shënohet çdo vit si Dita e Eksodit në Kukës, në nderim të solidaritetit dhe mikpritjes së treguar ndaj refugjatëve. Një nga simbolet kryesore të kësaj dite është Obelisku i ngritur në qytet, në vendin ku dikur ishin vendosur kampet e përkohshme.

Ndërkohë, në Qendra Përkujtimore Bllaca ‘99, përkujtohen vuajtjet e të dëbuarve përmes monumentit “Muri i Kujtesës”, i cili simbolizon sakrificën dhe qëndresën e shqiptarëve gjatë asaj periudhe.

Përvjetori i eksodit mbetet një kujtesë e fortë e vuajtjeve, por edhe e solidaritetit njerëzor në një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë së shqiptarëve.