Sot në orën 10:30 pritet të mbahet vazhdimi i seancës së 24-të të konstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, Kuvendi vazhdon të mos arrijë të zgjedhë kryetarin e ri.
Kandidatura e Albulena Haxhiut, e propozuar nga “Lëvizja Vetëvendosje”, “Guxo” dhe “Alternativa”, nuk po arrin të sigurojë shumicën prej 61 votash të nevojshme për zgjedhje. “Vetëvendosje”, “Guxo” dhe “Alternativa” këmbëngulin se nuk është e nevojshme një marrëveshje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Por përfaqësues të partive të tjera theksojnë se pa një marrëveshje të tillë, zgjidhja është e pamundur.
Po ashtu, këto tre subjekte politike po kërkojnë që votimi të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga “Partia Demokratike e Kosovës” (PDK), “Lidhja Demokratike e Kosovës” (LDK), “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK) dhe “NISMA”. Këto parti argumentojnë se seanca ka filluar me votim të hapur dhe duhet të vazhdojë në të njëjtën formë.
Ndërkohë, grupi parlamentar i AAK-së është në pritje të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e kërkesës për votim të fshehtë, të cilën kjo parti e ka dërguar për shqyrtim.



