Sot, Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, do të prehet për herë të fundit në varrezat e reja të fshatit Burojë, Skenderaj. Komuna e Skenderajt ka bërë të ditur agjendën për ceremoninë e varrimit, duke nisur me homazhe që do të mbahen nga ora 09:00 deri në 12:00 pranë arkivolit në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

Në orën 12:00, do të mbahet një mbledhje komemorative, ndërsa në ora 15:00 do të realizohet ceremonia e varrimit.

Për fat të keq, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij. Ky vendim ka shkaktuar shumë reagime nga figura të ndryshme politike dhe organizata.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur indinjatën dhe revoltën e saj për këtë vendim nëpërmjet një postimi në Facebook. Po ashtu, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka quajtur këtë refuzim të pa pranueshëm.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se do të kërkojë sqarime nga Gjykata Speciale për këtë vendim.