Një grup studentësh dhe qytetarësh janë mbledhur në Prishtinë në shenjë proteste ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Protesta ka nisur në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa pjesëmarrësit kanë marshuar nëpër qendër të kryeqytetit me flamuj dhe pankarta në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Gjatë tubimit janë dëgjuar thirrje “UÇK, UÇK, UÇK”, ndërsa protestuesit kanë kërkuar që procesi gjyqësor të vijojë në Gjykatën e Apelit.

Në pankartat e protestuesve janë shfaqur mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, mes tyre “Jo në emër të studentëve”, “Justice for KLA is justice for Kosovo” dhe “Nuk ka gjyq që ju gjykon në emër të popullit. Të pafajshëm përgjithmonë!”.

Përfaqësuesi i studentëve, Ilir Cani, e ka cilësuar vendimin si të ndikuar politikisht, duke deklaruar se, sipas tij, ai nuk lidhet me drejtësinë. Cani ka theksuar gjithashtu se protestuesit janë mbledhur në mënyrë paqësore dhe ka paralajmëruar tubime më të mëdha nëse nuk ka ndryshim të situatës.

“Liri çlirimtarëve, rroftë UÇK-ja, rroftë kombi shqiptar. Ai vendim është marrë me influencë politike, nuk kishte të bënte me drejtësinë. Serbia ishte agresori dhe krimineli i vërtetë, jo UÇK-ja”, tha Cani.

Protesta zhvillohet një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me një total prej 81 vitesh burgim.