Nëntë persona janë arrestuar në Zubin-Potok, nën dyshimin se janë përfshirë në krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.

Operacioni, i koduar “Dosja 23”, u zhvillua në orët e para të mëngjesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë e tjera të specializuara të Policisë së Kosovës dhe me urdhër të Prokurorisë Speciale.

Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Hetimi lidhet me rastin e njohur si “Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, i përbërë nga 23 persona, mes tyre mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë, të cilët rezultojnë të zhdukur që prej prillit të vitit 1999.

Në fund të korrikut, në zonat e Kalludrës dhe Jabukës nisën gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore. Operacioni përfundoi më 21 gusht, ndërsa gjatë kërkimeve u gjetën mbetje që dyshohet se u përkasin 23 personave.

Pas këtyre zbulimeve, hetimet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës janë zgjeruar për të dokumentuar rrethanat e vrasjes dhe zhdukjes së personave të këtij grupi.

Nëntë arrestimet në Zubin-Potok përbëjnë një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për zbardhjen e fatit të “Grupit të Intelektualëve të Mitrovicës” dhe identifikimin e personave të dyshuar për përfshirjen në këto krime.