Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku, ku në fokus kanë qenë situata dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në këto zona.

Gjatë takimit, Kurti ngriti shqetësimin për respektimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke vlerësuar se ata vijojnë të përballen me problematika që kërkojnë vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme.

Ai theksoi se Kosova synon të forcojë mbështetjen ndaj shqiptarëve të Luginës përmes formave të ndryshme, me një fokus të veçantë te studentët, fëmijët dhe komunitetet shqiptare.

Sipas Kurtit, angazhimi i Prishtinës nuk kufizohet vetëm në mbështetjen e drejtpërdrejtë, por shtrihet edhe në arenën ndërkombëtare. Kryeministri në detyrë tha se Kosova po e ngre çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës në forumet ndërkombëtare, duke kërkuar vëmendje për interesat dhe të drejtat e tyre.

Në takimin me përfaqësuesit politikë dhe të shoqërisë civile u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe situata e shqiptarëve në Sanxhak.

Top Channel