Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë një deklaratë të fortë, duke kërcënuar se mund të kufizojë furnizimin me ujë të Kosovës. Sipas mediave serbe, Vuçiç tha se tashmë janë përfshirë ekspertë dhe inxhinierë për të shqyrtuar mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhën e lumit Ibër.

“Duhet t’ju njoftoj, ne kemi ftuar tashmë ekspertë që merren me këtë, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të gjithë të tjerët. Ata po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë. Le të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen pas këtij veprimi”, është shprehur presidenti serb.

Vuçiç nuk ka bërë të ditur se çfarë lloj ndërhyrjeje po shqyrtohet dhe nëse një plan i tillë do të zbatohet konkretisht. Megjithatë, deklarata ka ngritur pikëpyetje për pasojat që mund të ketë një ndërhyrje në një prej burimeve kryesore ujore që lidhen me Kosovën. Sipas Vuçiç që nga viti 1985 “ekziston një ide për të ndryshuar rrjedhën” e lumit Ibër për nevojat e popullatës në qytezat afër liqenit, që si pasojë do ta thante Ujmanin, nga i cili furnizohet Kosova. Sipas tij, kjo mund të ndodhë me një vendim të Qeverisë serbe.

“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e keqtrajtojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, ka deklaruar Vuçiç.

Ibëri ka një rëndësi strategjike për Kosovën, ndërsa liqeni i Ujmanit, i krijuar nga diga mbi këtë lumë, është një prej burimeve kryesore për furnizimin me ujë të zonave të Kosovës dhe lidhet gjithashtu me prodhimin e energjisë elektrike. Një ndërhyrje në rrjedhën e lumit do të mund të kishte pasoja për furnizimin me ujë dhe funksionimin e infrastrukturës energjetike, duke e kthyer çështjen nga një përplasje politike në një problem me potencial të drejtpërdrejtë humanitar dhe ekonomik.

Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Beogradit dhe Prishtinës dhe është paraqitur si reagim ndaj politikave të autoriteteve të Kosovës ndaj komunitetit serb.