Autoritetet e sigurisë në veriun e Kosovës arritën, që të paktën për një ditë, t’i fusnin kryetarët e rinj shqiptarë në zyrat e komunave përkatëse të premtën.
Prej asaj dite, tensionet vetëm sa janë rritur, teksa protestuesit serbë vijojnë të mbajën të bllokuara hyrjet në këto godina.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Leposaviçit, Lulzim Hetemi të premtën u futën në zyrat e tyre në komunat veriore, pasi fituan zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të cilat serbët i bojkotuan.
Atë ditë serbët dolën në rrugë për të protestuar, por kjo nuk ndryshoi gjë. Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, ndërkohë nuk ka pasur telashe edhe për shkak të vendndodhjes së godinës të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri po punon nga zyra e komunitetit në fshatin Çabër, ndërsa kryetari i Zveçanit, Ilir Peci nga zyra për komunitete në fshatin Lipë.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, doli çdo ditë në zyrën e tij të re në komunë, por kryetari i Leposaviçit, Lulzim Hetemi, i cili shkoi herët të hënën në Komunë, nuk ka mundur të dalë që aty. Ai vazhdon të mbetet në atë godinë, i cili po mbrohet çdo ditë nga pjesëtarë të KFOR-it dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës.