Prej disa ditësh situata në veri të Kosovës është tensionuar. Në Mitrovicën e Veriut ka pasur të shtëna me armë, shpërthime granatash, por edhe presione ndaj zyrtarëve të KQZ-së. Në orët e vona të së enjtes në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë është plagosur edhe një efektiv policie, ndërsa mëngjesin e së premtes janë sulmuar edhe dy gazetarë.

Nisur nga kjo situatë, qeveria e Kosovës ka vendosur të dislokojë një numër më të madh trupash policor me qëllim ruajtjen e sigurisë së qytetarëve. Këtë e tha edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, i cili siguroi se rritja e prezencës së trupave të policisë nuk ka për qëllim acarimin e situatës, por qetësimin e saj.

Ndërsa nga ana tjetër, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka thënë se “Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të shkojë në veri dhe se Serbia “do të shqyrtojë dërgimin e 1000 forcave të saj të sigurisë” në veri.

Kjo solli edhe caktimin e një date zgjedhjesh nga presidentja Osmani, e cila vendosi 18 dhjetorin si datën më të përshtatshme. Në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok pritet të mbahen zgjedhjet lokale, por Lista Serbe që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kundërshton mbajtjen e tyre.

Duke marrë parasysh situatën e krijuar, ambasadori amerikan në Kosovës, Hovenier, kërkoi shtyrjen e këtyre zgjedhje deri në normalizimin e situatës.

Përfaqësuesit e serbë dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa ilegale serbe në veri.