Presidenti është optimist për të ardhmen e vendit dhe normalizimin e situatës
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehet se Kosova ka ecur përpara në vitet e fundit, por moszhvillimi i saj ka ardhur nga fakti që për dekada me radhë vendi ka qenë i diskriminuar. Në një intervistë për të përditshmen austriake “TirolerTageszeitung”, kreu i shtetit foli për prioritetet e tij, dialogun me Serbinë dhe Gjykatën Speciale. “Më 1999-n, pas luftës, Kosova e shkatërruar në të gjitha aspektet, duhej të fillonte të rindërtohej. Tetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nënshkroi Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Bashkimin Europian. Vendi njihet nga 111 shtete dhe është anëtare e organizatave të ndryshme ndërkombëtare”, tha ai. I pyetur për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, Presidenti tha se nuk ka alternativë tjetër veçse normalizimit të marrëdhënieve, dialogut dhe pajtimit. “Si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, kryeministrat, të cilët udhëhoqën dialogun, fituan sërish në zgjedhjet e përgjithshme, duke dëshmuar se popullsia mbështet procesin e dialogut”, shtoi ai. Thaçi theksoi se procesi i dialogut duhet të bëhet më dinamik, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje kornizë për pajtim, ku sipas tij, duhet të ketë edhe zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat ka dakordim deri më tani. Në lidhje me Gjykatën Speciale, ai sqaroi pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se nuk kanë shkelur ndonjë ligj, me përjashtim të ligjeve të Sllobodan Millosheviçit. Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit të Kosovës caktoi mbajtjen e seancës së radhës më 28 prill, por as kësaj radhe nuk u vendos që në rend të ditës të ishte çështja e ratifikimit të marrëveshjes me Malin e Zi, për demarkacionin e kufirit. Marrëveshja për demarkacionin u nënshkrua në Vjenë më 25 gusht të vitit të kaluar. Partitë opozitare e kanë kundërshtuar në vazhdimësi këtë marrëveshje, duke konsideruar se ajo cenon tërësinë territoriale të Kosovës. Të shumta kanë qenë protestat e zhvilluara. Për të qetësuar opozitën u krijua edhe një komision me anëtarë të huaj, por as kjo nuk i ka qetësuar subjektet politike opozitare.