Një ngjarje tragjike është shënuar në Kosovë, në qytetin e Malishevës, ku një 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, 9 dhe 12 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që dyshohet të ketë rënë brenda banesës së tyre.
Sipas dëshmive të para nga familjarët, situata ka qenë dramatike. Një e afërme e viktimave rrëfen se ka parë fëmijët pa shenja jete, duke u përpjekur t’u japë ndihmën e parë dhe më pas i ka transportuar me urgjencë drejt spitalit, por pa mundur t’i shpëtojë.
Ajo shprehet e tronditur nga ngjarja, duke theksuar lidhjen e ngushtë familjare me viktimat dhe dhimbjen e madhe për humbjen e tyre.
Ndërkohë, organet e drejtësisë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave. Prokurorja e rastit, Ardita Beqiraj Hyseni, bëri me dije se në vendngjarje janë konstatuar gjurmë zjarri dhe tymi, ndërsa ekspertët po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit të flakëve.
Autoritetet theksojnë se hetimet janë ende në vijim dhe pritet që në orët në vijim të ketë më shumë detaje mbi këtë ngjarje të rëndë.
