Një ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin në Kosovë, ku një 27-vjeçar dhe një foshnjë vetëm tre muajshe janë gjetur pa shenja jete në fshatin Demiraj. Në lidhje me rastin është arrestuar një 65-vjeçar, babai i të riut, i cili dyshohet për përfshirje në ngjarje.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili bëri të ditur se rasti po hetohet si vrasje e rëndë dhe dyshohet se ka ndodhur brenda familjes.

Pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor i urgjencës. Pas ekzaminimit, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e 27-vjeçarit dhe foshnjës.

I dyshuari 65-vjeçar është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe motivet e mundshme të kësaj ngjarjeje tragjike.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës për përcaktimin e shkakut të vdekjes.