Një ngjarje tragjike ka tronditur Malishevën e Kosovës, pasi dy vëllezër humbën jetën pas një sulmi me armë zjarri në fshatin Gullbovc.

Burime të besueshme nga media Sinjali bëjnë me dije se personi i dyshuar për vrasjen e dyfishtë është Astrit Isufi nga Sankovci i Drenasit. Autori i dyshuar i vrasjes është i njohur për organet e rendit dhe është shpallur në kërkim.

Po ashtu, bëhet me dije se është dhëndërri i viktimave.

Sipas informacionit të parë, viktimat janë dy vëllezër të moshave 32 dhe 45 vjeç, të cilët u qëlluan për vdekje para shtëpisë së tyre. Dyshohet se ngjarja ka pasur motiv familjar, pasi konflikte të mëparshme mes palëve mund të kenë çuar në dhunën fatale.

Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka shkuar në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pas largimit, ai është kthyer për t’i qëlluar dy vëllezërit, të cilët ndodheshin jashtë shtëpisë. Si pasojë e të shtënave, njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tjetri ka vdekur gjatë transportit në spital. Sipas hetimeve, edhe vëllai i të dyshuarit kishte pasur konflikte të mëhershme me viktimat, të cilat mund të kenë rënduar situatën.

Policia dhe Prokuroria kanë mbërritur në vendngjarje, ndërsa trupat e viktimave do të dërgohen për ekzaminim. Pavarësisht se i dyshuari është shpallur në kërkim, veprimet operacionale për kapjen e tij janë duke u zhvilluar me shpejtësi. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes vazhdojnë.