Një incident i armatosur ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Pejës, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Ngjarja është raportuar rreth orës 15:50 në rrugën “Papa Klementi”, ku sipas informacioneve zyrtare nga Policia, njësitet patrulluese kanë reaguar menjëherë pas marrjes së thirrjes.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Pejës, Driton Rugova, konfirmoi për mediat se i plagosuri është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë ende publike.

Ndërkohë, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim nga autoritetet. Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e personit të dyshuar.