Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump ka uruar Kosovën me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë.
Në një letër dërguar presidentes, Vjosa Osmani Trump ka theksuar se SHBA-ja mbetet e palëkundur në mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ndërsa marrëdhëniet tona vazhdojnë të thellohen, ne presim me padurim ta zgjerojmë partneritetin tonë, përfshirë përmes rritjes së tregtisë dhe investimeve që nxisin prosperitetin e përbashkët”, thuhet në letrën e Trump.
Më tej në letër thuhet se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë krah për krah me Kosovën për të avancuar paqen dhe stabilitetin për përfitim të ndërsjellë.
“Dua t’ju falënderoj ju dhe të gjithë kosovarët për mbështetjen tuaj të vazhdueshme ndaj përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të zgjidhur sfidat globale në Ukrainë, Gaza dhe gjetkë. Gjithashtu e mirëpres Kosovën si një anëtare themeluese të Bordit të Paqes, i cili synon ta bëjë botën më të sigurt, më të fortë dhe më prosperuese”, thuhet në letrën e Trump.
