Bojan Mijailovic, njëri nga terroristët e vrarë që ishte pjesëmarrës në sulmin kundër Policisë së Kosovës në mëngjesin e së dielës në Banjskë të Zveçanit, është konfirmuar se ka shërbyer si truprojë e Aleksandar Vulin, shefit të Agjencisë së Inteligjencës së Serbisë e njohur si BIA, gjatë një vizite në Kosovë, në vitin 2013.

Lidhjen e Mijailovic më Vulin e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla përmes një postimi në Facebook.

“Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, turpëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013”- ka shkruar ministri Sveçla.

Mirëpo përmes një kërkimi në internet mediat kosovare kanë mësuar se Mijailovic kishte qenë pjesë aktiviteteve të fushatës parazgjedhore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Në qershor të vitit 2020, disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në Serbi, Mijailovic është parë bashkë me aktivistë të tjerë dhe me ish-kryetarin e Leposavicit nga Lista Serbe, Zoran Todic, i cili në atë ditë po vizitonte qytetarët në fshatin Jellakcë për t’iu shpërndarë ushqim dhe pajisje shtëpiake.

Siç thuhet në një komunikatë, e publikuar në faqen e Listës Serbe, dega në Leposavic, Todic në vizitën e tij ishte shoqëruar nga “bashkëpunëtorë dhe aktivistë të Partisë Përparimtare Serbe”.

Sipas postimit, “ aktivistët e Partisë Përparimtare Serbe Leposavic, si shumë herë më parë, shpërndanë ndihma në formë të pakove ushqimeore, produkte higjienë dhe mjete të tjera, por edhe ofruan ndihmën dhe mbështetjen e tyre për të ardhmen”.

Mijailovic por edhe bashkëpunëtorë e aktivistë të tjerë shihen që kanë të veshur bluza me mbishkrimin “Aleksandar Vuçic – Për fëmijët tanë”, që ka qenë sllogani i fushatës së partisë së Vuçicit në zgjedhjet e vitit 2020, teksa shpërndajnë ndihmat e përmendura në njoftim.