Policia e Kosovës ka arrestuar në pikën kufitare të Merdarës shtetasin kosovar Fehim Sali, i dyshuar për përfshirje në veprën penale të “spiunazhit”.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim mes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Sipas autoriteteve, Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, ndërsa ka pasur kontakte edhe me një zyrtar të saj, të identifikuar si Zhelimir Matoviç.

I dyshuari ka punuar si mësues në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës.

Hetimet kanë ngritur dyshime edhe për përfshirjen e tij në ndërmjetësimin e çështjeve që lidhen me prona dhe dokumente serbe, si dhe në mbledhjen e votave në mbështetje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Pas arrestimit, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kontrolluan banesën e tij në Dragash. Gjatë kontrollit u sekuestruan 39 mijë e 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme që dyshohet se kanë vlerë për hetimin.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Fehim Sali është ndaluar për 48 orë. Brenda afatit ligjor, pritet që Prokuroria t’i kërkojë Gjykatës Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit.