Një person është vrarë mbrëmjen e kaluar në Prishtinë pas të shtënave me armë zjarri në rrugën “Sali Nivica”, ngjarje që ka tronditur kryeqytetin e Kosovës.

Viktima është identifikuar si Agron Hajdari, i njohur me nofkën “Radulla”, emër i njohur për komunitetin sportiv si pjesëtar i tifogrupit “Plisat”.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 20:30, ndërsa në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë njësitë policore dhe ekipet mjekësore. Megjithatë, Hajdari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi, konfirmoi identitetin e viktimës, ndërsa Policia e Kosovës bëri të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit janë ende në vijim.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për autorët apo motivet e ngjarjes, ndërsa mediat në Kosovë raportojnë se Hajdari ishte një emër i njohur edhe për organet e rendit për shkak të së kaluarës së tij kriminale.

Vrasja e tij ka sjellë reagime të shumta, veçanërisht nga tifogrupi “Plisat”, ku Hajdari kishte qenë aktiv prej më shumë se 20 vitesh.

“Kujtimi për të do të mbetet gjithmonë i gjallë. Pusho i qetë Goni! Ultrasit nuk vdesin kurrë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga tifogrupi në rrjetet sociale.