Vëllezërit Driton dhe Naim Morina, të cilët humbën jetën tragjikisht në fshatin Gollubovc të Malishevës, do të varrosen sot në orën 16:00. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e viktimave përmes rrjeteve sociale, duke shpërndarë dhimbjen e thellë për humbjen e dy anëtarëve të familjes.

Ngjarja e rëndë ndodhi një ditë më parë, dhe dyshohet se vëllezërit Morina u vranë nga dhëndri i tyre, Astrit Isufi. Pas ngjarjes, Policia e Kosovës ka arrestuar Astrit Isufin, i cili aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ka pësuar lëndime gjatë ngjarjes.

Bëhet me dije se vetëm tri ditë para ngjarjes së rëndë kishte vdekur babai i viktimave dhe familja Morina ishin në ditët e zisë të babait të tyre.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të siguruar drejtësinë për viktimat dhe familjen e tyre. Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal dhe ka lënë pas një atmosferë dhimbjeje dhe keqardhjeje.