Tre intelektualë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare, të cilët rezultonin të zhdukur që prej luftës në Kosovë, janë identifikuar pas 27 vitesh përmes analizave të ADN-së.

Lajmi është bërë publik nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili konfirmoi se identiteti i Adem Fazli Ademit, Fatmir Bajram Fazliut dhe Ali Islam Halitit është përcaktuar përmes raporteve të fundit të analizave gjenetike. Të tre ishin pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Mbetjet mortore u zbuluan pas zhvarrosjeve të kryera në zonat e Kalludrës dhe Jabukës. Pas konfirmimit të identiteteve, institucionet përgjegjëse kanë njoftuar edhe familjarët e viktimave.

Sipas njoftimit të Kurtit, tre personat ishin rrëmbyer në prill të vitit 1999 nga forcat e armatosura serbe, për t’u zhdukur më pas me dhunë.

Kreu i qeverisë në detyrë ka shprehur ngushëllimet për familjet, duke theksuar se zbardhja e fatit të personave të zhdukur dhe vënia para drejtësisë e përgjegjësve për krimet e luftës mbeten prioritete.

Kurti ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e bashkëpunimit nga Serbia, duke e akuzuar atë se vazhdon të mohojë krimet e luftës dhe të mos bëjë publike dokumentet e arkivat që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave ende të zhdukur.