Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka njoftuar se është pezulluar Liljana Stevanoviç, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
Pezullimi i saj vjen pasi ajo ishte pjesëmarrëse në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim.
Për pjesëmarrjen e saj në këtë takim më herët kishte reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), duke thënë se do të ndërrmarrin masa për gjyqtaren Liljana Stevanoviç. Ky reagim i KGJK-së, erdhi pasi Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i bëri thirrje KGJK-së, që të ndërmarrë masa në raport me Kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stefanoviç.
“Sipas nenit 7, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet që nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohet këto masa disiplinore: Vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim”, thuhet në njoftim./Zëri